Tradita e festës së Pashkëve kërkon edhe bukën e ëmbël,që nënat dhe amvisat e gatuajnë me shumë dashuri një natë para. Le të shohim një variant të thjeshtë të përatitjes së saj:
Përbërësit:
360 gr miell 00 ose miell manitoba
140 ml qumësht
60 gr sheqer
1 bustinë maja
2 të verdha vezësh
80 gr gjalpë
1 lugë kafeje kripë
Pak sheqer vanilje dhe lëkurë limoni
1 vezë e plotë
Pak qumësht për lyerjen e sipërfaqes
Granela (kokrriza sheqeri) për dekor
Përgatitja:
Bashkoni miellin me majanë dhe kripën në një enë të madhe. Rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin, shtoni pak nga pak qumështin, vaniljen, lëkurën e limonit. Masën e lëngshme shtojeni tek ena me miell dhe përziejini. Shtoni edhe copëzat e gjalpit në temperaturën e ambientit dhe vazhdoni punimin e brumit derisa të krijohet një masë që shkëputet nga muret e enës. Lëreni brumin të vijë për 15 minuta.
Më pas merreni brumin, punojeni përsëri dhe ndajeni në dy pjesë. Jepni formën e dëshiruar (gërshet, lepurush, kurorë). Më pas lëreni të vijë edhe 60 minuta të tjera në furrën e sobës. Përzieni vezën e lënë mënjanë me qumësht. Me këtë masë lyeni sipërfaqen e bukës, vendosni edhe kokrrat e sheqerit dhe vendoseni të piqet në furrë të ngrohur në 195 gradë për 25 minuta.