Përgatisni një pjatë të shijshme me aromën e frutave të detit në më pak se 20 minuta. E pasur në vitaminë C dhe me sasi shumë të ulëta të kolesterolit. Perfekte për një drekë apo darkë me personat e dashur!
Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.
Përbërësit: 1/2 pako makarona linguini, 1 tufë borzilok, 3 thelpinj hudhër, 1 spec djegës, 50 ml vaj ulliri, kripë, piper, 100 gr djathë Pecorino, 300 gr domate, 100 gr për lloje të ndryshme fruta deti (karkaleca, kallamarë, midhje, sepie), 1 qepë e vogël.
Përgatitja
Pastrojmë frutat e detit, presim sepjen dhe kallamarin në rripa, ndërsa karkalecat i pastrojmë nga lëvozhga, por duke ua ruajtur kokën.
Presim në kube domatet, specin djegës dhe qepën. Hudhrat e borzilokun i presim hollë.
Në një tenxhere vendosim pastën të ziejë, ndërsa në një tenxhere tjetër përgatisim salcën.
Në tenxheren e salcës hedhim vajin e ullirit, qepën e grirë dhe hudhrat. I skuqim për pak sekonda.
Shtojmë salcën e domates, borzilokun e grirë, frutat e detit të pastruara dhe të prera, specin djegës, kripën, piperin. E lëmë salcën të ziejë për 5-7 minuta.
Në këtë moment dhe linguinet janë gati. I kullojmë dhe ua shtojmë salcës.
Shtojmë në fund djathin Pecorino të grirë dhe vajin e ullirit. Pastat janë gati për t’u shijuar!