Uria nervore, si ta luftojmë atë edhe në kohën e Covid-it

Ushqime

Uria nervore, si ta luftojmë atë edhe në kohën e Covid-it

Më: 24 prill 2021 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Ne jemi të lodhur dhe të stresuar nga gjendja e vazhdueshme e pasigurisë dhe mërzitjes për shkak të kufizimeve në lidhje me Covid-19. Sasia më e madhe e kohës që kalojmë në shtëpi dhe mungesa e aktiviteteve tona të zakonshme, duke filluar me ato me të cilat kalojmë këndshëm kohën tonë të lirë, mund të na shtyjë të kërkojmë ngushëllim në ushqim apo edhe të konsumojmë vazhdimisht diçka.

Është e ashtuquajtura uri nervore, një stimul i vazhdueshëm që nuk vjen nga stomaku por nga mendja dhe që na çon në hapjen e frigoriferit. Meqenëse është një mekanizëm shumë i zakonshëm, ai duhet të njihet dhe duhet të mësojmë ta menaxhojë atë, nëse nuk duam të shtojmë kile.

Nuk është çështje ngopje – Ndjekja e kënaqësisë së vazhdueshme në ushqim nuk ka asnjë lidhje me sensin e ngopjes. Është një impuls që mund ta ndiejmë edhe në fund të një vakti të kënaqshëm: në fakt rrjedh nga një mekanizëm detyrues, i njohur në terma shkencorë si Çrregullimi i ngrënies së tepërt, i cili na bën të kërkojmë rehati ose një zgjidhje në ushqim. Gjithkush ka ushqimin e tij të preferuar ngushëllues: ka nga ata që e mbushin veten me patate të skuqura, ose të tjerë që e zhytin ankthin e tyre në çokollatë ose ëmbëlsira. Ajo që ushqimet e rehatisë kanë të përbashkët është fakti që ato zakonisht janë gjëra që kemi në dorë dhe se nuk janë ushqime të shëndetshme. Të gjitha kaloritë që konsumojmë në këtë mënyrë shtohen në ekuilibrin tonë ditor: efektet mund të jenë të dëmshme, duke pasur parasysh edhe vështirësinë objektive që kemi këtë periudhë në ushtrimin dhe djegien e të paktën një pjese të energjisë së gllabëruar.

Vullneti nuk është i mjaftueshëm – Si të gjitha impulset e thella, uria nervore është e vështirë të kontrollohet: vetëdija është e nevojshme më shumë sesa vullneti. Ne duhet të mbikëqyrim vetveten dhe t’i kushtojmë vëmendje situatës në të cilën zakonisht lind dëshira për të pickuar diçka: a jemi të lodhur, nervozë, apo të frikësuar dhe të pakënaqur? Hapi i parë është njohja e shkakut të stresit tonë sa më shumë që të jetë e mundur; në atë pikë, gjithmonë brenda kufijve të mundshëm, mund të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për problemin që nuk përfshin…një kalim në qilar.

Në izolim – Për të luftuar sulmet e urisë, mënyra më e thjeshtë është të mashtrojmë trurin tonë. Për shembull, ne mund ta kapim atë në befasi me një aromë tjetër nga ajo që ai pret, për shembull me një turshi kur ndihemi të tërhequr nga çokollata ose me disa luleshtrydhe në vend që të hapim një kuti me patate të skuqura. Nëse na pëlqen të gatuajmë, le t’i përkushtohemi gjetjes së recetave të reja që na bëjnë të ushqehemi më mirë, sesa të hamë më shumë. Një shëtitje me një ritëm të shpejtë, apo edhe gjysmë ore vrapim në parkun më të afërt, një bisedë përmes Skype me një mik pa lënë divanin mund të na ndihmojë të shpërqendrojmë mendjen tonë nga mendimi i vetmisë dhe ideja e akullores që gjendet në frigorifer.

Një qilar “Taktik” – Larg syve, larg mendjes, thotë një shprehje: të kesh vetëm ushqim të shëndetshëm në frigorifer ose në qilar do të shmangë ngacmimin e “dëshirës” për ushqime jo të shëndetshme që janë të parezistueshme për ne. Në vend të kësaj, ne duhet të mbajmë një furnizim me ushqime të shëndetshme për t’i konsumuar në kohë të vështira. Për shembull, perimet dhe frutat e thata mund të jenë të dobishme, të cilat na japin kënaqësinë e ngopjes pa shtuar peshë.

Uria e mbrëmjes – Në mbrëmje, ndërmjet kohës së pas darkës dhe kohës për të shkuar për të fjetur, është një nga situatat në të cilën uria nervoze godet më shumë. Për të menaxhuar problemin ne duhet të përpiqemi të kontrollojmë nëse dieta jonë gjatë ditës ishte e përshtatshme dhe e rregullt: nëse anashkalojmë drekën ose lëmë pas dore ekuilibrin e ritmeve tona të ngrënies, është më e lehtë të biem viktimë e urisë nervore, për këtë është mirë të organizojmë vaktet tona ditore me sasinë e duhur të lëndëve ushqyese. Nëse dëshira për ushqim është e lidhur me një ndjenjë vetmie, duke qenë se vizitat tek miqtë janë akoma të ndaluar, ne përpiqemi të mbajmë lidhje me telefon ose thirrje video. Le të planifikojmë disa aktivitete interesante për t’iu kushtuar në mbrëmje, të tilla si një hobi krijues, një kurs argëtues në internet ose një lexim të mirë. Gjithashtu nuk është keq të bëni pak gjimnastikë në shtëpi, ndoshta para darkës, sepse aktiviteti fizik nuk duhet të praktikohet pas orës 21 në mënyrë që të mos prishë gjumin. Në kushte ekstreme, një çaj i nxehtë bimor ose çaj pa kafeinë janë një mënyrë praktike dhe e shpejtë për të qetësuar stomakun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat