Si të gatuani lazanja me produktet që keni në frigorifer?

Ushqime

Si të gatuani lazanja me produktet që keni në frigorifer?

Më: 20 maj 2021 Në ora: 19:44
Lazanja

Receta e sotme nga Erida Kabashi, përveçse është shumë e shijshme, është edhe e thjeshtë për t'u gatuar, pasi mund të përdorni ato perime që ju kanë mbetur në frigorifer. Si të përgatisni një lazanja me perime shumë thjeshtë? Mënyrën e përgatitjes e keni të detajuar më poshtë.

Për 4-5 persona ju duhen:

500 gr petë lazanja (shikoni paketimin nese duhet t’i zieni më parë apo s’kanë nevojë)

Beshamel

1,2-1,3 litër qumësht

120 gr miell

120 gr gjalpë

Arrë moskat

Kripë

Përgatitja e gjellës me perime, me çfarë të keni në frigorifer. Në këtë rast:

Qepë, kungull, karotë, patëllxhan, gjethe brokoli, spec, domate dhe djathë kaçkavall të grirë.

Mënyra e përgatitjes:

Fillimisht kaurdisim të gjitha perimet për disa minuta. Nisim me qepën, më pas shtojmë të tjerat një nga një, duke bërë një gjellë me perime. I hedhim kripë, piper dhe erëza të tjera sipas dëshirës.

Më pas fillojmë shtrimin në tavë.

Hedhim pak beshamel në fund të tavës. Shtrojmë një shtresë peta, i hedhim pak gjellë me perime, beshamel dhe djathë të grirë. Veprojmë kështu për të gjitha shtresat. Më pas e pjekim në furrë për 30-35 minuta në 200 gradë. Në këtë mënyrë nuk hedhim asgjë poshtë, por edhe shijojmë një recetë shumë të shijshme.

Beshamelin, nëse doni ta përgatisni vetë. Receta sipas Eridës:

Në një tenxhere hedhim gjalpin, më pas miellin, i perziejmë gjithë kohën me rrahësin e vezëve që të mos formojë kokrriza. Fillojmë shtojmë pak nga pak qumështin dhe e lemë sa të trashet pak e bëhet si krem i hollë. Në fund, i hedhim kripë dhe pak arrë moskat dhe e kemi gati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat