Kjo recetë autentike përmetare mua më lidh me shijet e fëmijërisë. Kryesisht shërbehet si pjatë e parë. Nëse e provoni, ju bëftë mirë!
Përbërësit për 4 veta: 4 lugë gjelle kos ose dhallë, 1 lugë miell, 2 të verdha vezësh, 1/2 kokërr qepe, mish qengji ose viçi dhe 1 dorë majdanoz
Përgatitja: Kaurdisim mishin me gjysmë kokrre qepë (jo të grirë, por kokërr). I shtojmë pak ujë sa të ziejë mishi e të mbetet vetëm pak lëng në fund.
Largojmë qepën. I rrahim bashkë kosin, miellin dhe vezën sa të bëhet një masë e njëtrajtëshme dhe mielli të tretet. Këtë masë e shtojmë te lëngu i mishit. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper e i japim valë. Mishi duhet të jetë plotësisht i zjerë. Shtojmë majdanozin e grirë imët.
Në fund e shërbejmë me gjalpë të skuqur sipër.