Përbërësit: 1.5 litra ujë • 3 limonë të mëdhenj organikë • 70 g sheqer (rregulloheni vetë sipas shijes personale) • 2 lugë gjelle qumësht
Përgatitja:
1.Në zjarr, vëmë një tenxhere me 1 litër ujë bashkë me sheqerin. E përziejmë herë pas here që sheqeri të tretet. E heqim dhe e lëmë mënjanë që të ftohet.
2.Në tenxheren ku kishim ngrohur ujin me sheqerin, hedhim 0.5 litra ujë që na kanë mbetur dhe kur të marrë valë, e heqim nga zjarri. Shtojmë lëkurat dhe lëngun e limonëve të shtrydhur në çast dhe e lëmë të pushojë për 15 minuta. Pas kësaj kohe, përziejmë të dyja lëngjet duke hequr më parë lëkurat e limonit dhe shtojmë qumështin. E shërbejmë pasi ta kemi lënë në frigorifer të ftohet për 3-4 orë.
Ujë i aromatizuar me manaferra
Përbërësit: 1 litër ujë
• disa feta limoni • disa gjethe rozmarine – mos e përdorni nëse nuk ju pëlqen • 50 g manaferra ose boronica
Përgatitja:
Një pjesë të manaferrave të lara, i ndajmë në mes me thikë dhe i hedhim në një kanë me ujë, të cilën e lëmë një natë në frigorifer. Të nesërmen, e shërbejmë me manaferrat që kishim lënë mënjanë, disa gjethe rozmarine dhe feta limoni.
Limonadë me lule livande dhe rozmarinë
Përbërësit për 4/6 persona:
500 ml ujë • 160 ml lëng limoni • 120 g sheqer • 4 lugë të vogla lule livande të thata • 2 degë të vogla rozmarinë të freskët – kini kujdes pasi rozmarina e freskët ka aromë të fortë
Përgatitja:
1. Në një tenxhere të vogël, vëmë të marrë valë gjysmën e ujit me sheqerin, derisa të shohim që sheqeri është tretur. Fikim zjarrin, shtojmë livandën, rozmarinën dhe e lëmë të pushojë për 30 minuta në temperaturë ambienti.
2. Pas kësaj kohe, e kullojmë me sitë dhe shtojmë gjysmën tjetër të ujit, të ftohtë nga frigoriferi dhe lëngun e limonit të shtrydhur në çast.
E lëmë në frigorifer për të paktën 2 orë dhe më pas e shijojmë.
Çaj i ftohtë me pjeshka
Përbërësit: 1 litër ujë mineral
• 3 lugë me lule të thata (kamomil, livandë ose atë që keni, por me shije delikate) ose 2 lugë kamomil të thatë dhe 2 lugë livandë të thatë
• 4 pjeshka të pjekura, por të forta
Për shurupin: 50 g sheqer + 70 ml ujë mineral
Përgatitja:
Në një tas qelqi, vëmë ujë të ftohtë dhe lulet e thata. E mbulojmë me plastmasë kuzhine ose kapak dhe e lëmë në frigorifer për 30/40 minuta. Pastaj e kullojmë dhe e vëmë përsëri në frigorifer.
Ndërkohë, përgatitim shurupin: ziejmë ujin me sheqerin në një tenxhere të vogël derisa sheqeri të tretet. E heqim nga zjarri dhe kur të jetë ftohur, e hedhim në tasin ku kemi lëngun tjetër. Shtojmë pjeshkat të prera në feta dhe i lëmë për 3 orë në frigorifer që të aromatizojnë çajin. E shërbejmë me kuba akulli.