E para është:
Sallatë jeshile me misër majonezë e mustardë.
Përbërësit:
Një tufë sallatë jeshile (rreth 200 gr)
Pak sallatë e kuqe
200 gr misër i zier
1 qepë e njomë
1 mollë
Kripë
Piper
1 tufë majdanoz
Për salcën:
50 ml vaj ulliri
Gjysmë limoni
1 lugë majonezë
2 lugë kos
Përziejmë të gjithë përbërësit e salcës (në grirës elektronik) dhe e lëmë mënjanë. Lahet sallata, kullohet dhe pritet me dorë në copa të vogla. E vendosim në një enë e në të shtojmë qepën e njomë dhe majdanozin të prerë hollë, mollën e prerë në kubikë, misrin dhe i përziejmë lehtë. Atyre u shtojmë edhe salcën dhe i përziejmë përsëri.
2. Supë me kungull dimri
Përbërësit:
Lëng pule
300 gr kungull dimri
100 gr gjalpë
4 lugë kos
1 limon
1 qepë
Arrë moskat
Kripë
Piper
Qërojmë dhe presim kungullin në kube të mëdha dhe qepën në kube të vogla. I hedhim në një tenxhere me gjalpin dhe e mbyllim tenxheren me kapak, në mënyrë që kungulli të nxjerrë të gjitha lëngjet e tij dhe të zbutet. Kur e shohim që është zbutur, shtojmë edhe lëngun e pulës dhe kosin. Kalojmë në rende pak arrë moskat, kripën e piperin dhe e lëmë të ziejë për 45 minuta. Ashtu të ngrohtë e kalojmë supën në multi dhe, në fund, shtojmë dhe lëngun e limonit sipas dëshirës dhe kosin.
3. Gurabije
Përbërësit:
250 gr gjalpë i freskët
500 gr miell
150 gr sheqer
2 të verdha vezësh
Gjysmë filxhani kafeje konjak
Lëkura e dy portokajve
100 gr bajame
50 gr arra
1 lugë kafeje vanilje
50 ml ujë me aromë trëndafili
Një pako fryrës ëmbëlsirash ose gjysmë lugë supe sodë buke
500 gr sheqer pluhur
Kalojmë arrat dhe bajamet në tigan pa yndyrë në temperaturë të ulët, për pak minuta. Përziejmë në mikser sheqerin dhe gjalpin, në shpejtësi të mesme për 5 minuta duke shtuar aty bajamet, arrat, sheqerin, vaniljen, vezët, lëkurën e portokallit të kaluar në rende dhe në fund miellin, duke e kaluar në sitë. E hedhim në një enë të hapur, i bëjmë në toptha të vegjël, i shtypim lehtë me dorë që t’i petashuqim dhe i renditim në një tavë, 3-4 cm larg njëri-tjetrit. I fusim në furrë me ventilim në temperaturë 175 gradë për 18-20 minuta (ka të bëjë furra dhe forca e energjisë). i heqim nga furra dhe i lëmë të qëndrojnë për një minutë. Ujin me aromë trëndafili të përzier me konjakun e “spërkasim” sipër gurabijeve, pastaj i zhysim ato në sheqer pluhur.