Në një botë high-tech, ku shkenca dhe mjekësia ecën me hapa gjigantë, nuk është e vështirë të jetosh 100 vjeç, madje të bësh edhe një jetë të shëndetshme, nëse zbaton me përpikëri rregullat e domosdoshme për organizmin. Vetëm kështu mundësitë për të jetuar "sa të duash" janë të mëdha.
Sipas asaj që shkencëtarët thonë, ndër këto rregulla kryesore përfshihen stili i jetesës dhe ushqimet. Në të vërtetë nuk ka studim, sidomos ata që i “kushtohen” jetës së shëndetshme dhe jetëgjatësisë, që të mos përmendet peshku dhe perimet. Por jo vetëm kaq, peshku është edhe ushqimi më i dashur në recetat e dietologëve, duke e kaluar mishin pa asnjë vështirësi.
I pasur me përbërës ushqimorë thelbësorë është mjaft i dobishëm për organizmin tonë, ndaj këshillohet të përdoret më shumë se tri herë në javë. Është partneri më i vjetër i verës, ilaçi më i mirë për shumë sëmundje dhe ushqimi i padiskutueshëm i darkave fisnike.
Ndihmon në uljen e kolesterolit të keq në gjak, parandalon Alzhaimerin, demencën, forcon kockat dhe na bën më inteligjentë. Vaji i tij lehtëson qarkullimin e gjakut, përdoret në rastin e pezmatimit të nyejve dhe në disa raste, mund të përdoren për trajtimin e ekzemës, migrenës.
I domosdoshëm
Në botë “jetojnë” më shumë se njëzetmijë lloje peshqish dhe pothuajse të gjithë përmbajnë proteina që asimilohen mirë. Ato përmbajnë aminoacide, shumë të domosdoshme për organizmin e njeriut, si isoleucina apo valina, që ndikojnë në formimin e muskujve apo të glutamines, që vepron kundër lodhjes.
Peshqit përmbajnë shumë proteina, madje edhe më shumë se mishi (në 100 gramë peshk gjenden 27 të tilla). Më të pasurit me proteina janë peshku ton dhe barbuni me 24 gramë. Vitaminat dhe proteinat janë të domosdoshme për sistemin nervor, muskujt dhe kockat. Po ashtu, ata përmbajnë kalcium, fosfor dhe jod i nevojshëm për prodhimin e hormoneve të tiroideve e mjaft i rëndësishëm për krijimin e embrionit të bebes, si dhe në moshën e pubertetit të fëmijëve. Por nuk duhen lënë pa përmendur edhe elemente të tjera si fluori, kobalti, magnezi, kaliumi, bakri, dhe seleniumi. Në të gjendet edhe një sasi e madhe vitaminash, ku më e rëndësishmja është vitamina A, që vepron kundër dobësimit të shikimit në errësirë, vitamina D, e domosdoshme për forcimin e kockave dhe rakitizmit te fëmijët.
Është e vërtetë se peshku përbën ushqimin kryesor për një numër të madh njerëzish që nuk e fusin fare në gojë mishin. Peshku përmban vitaminën B, si vitaminën B6, e cila lufton aneminë dhe vitaminat B2, B12.
Ilaçi i shumë sëmundjeve
Peshqit janë të pasur me Omega 3, ose ndryshe acide yndyrore të pangopura dhe mbrojtëse ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Janë pikërisht këto acide që ndihmojë të jesh energjik, të shtojnë tonalitetin e muskujve dhe të ulin peshën e tepërt. Por, ato janë edhe shumë delikate dhe shkatërrohen shpejt në temperatura të larta. Për të ruajtur vlerat e tyre është mirë të gatuhen në avull. Yndyrat e peshkut ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq LDL, duke ruajtur njëkohësisht kolesterolin e mirë HDL. Brenda tij gjenden edhe acidet specifike DHA (acidi dekahekzaenoik), apo EPA (acidi ekozapentanoik) etj.
Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit në Angli, pas vitesh të tëra studimi te njerëzit mbi 65 vjeç që konsumon vazhdimisht peshk rreth dy ose tri herë në javë, arritën në përfundimin se toni apo peshqit e pjekur në zgarë e pakësojnë rrezikun e vdekjeve nga problemet kardiake. Po kështu, studimi më i fundit i bërë te gratë shtatzëna thanë se ngrënia e një sasie të konsiderueshme peshku gjatë 9 muajve të shtatzënisë (rreth 340 gramë në javë) ndikonte mjaft në inteligjencën e fëmijëve. Gratë që e kishin konsumuar vazhdimisht këtë produkt, jo vetëm që lindnin fëmijë më të zgjuar, por edhe kishin një shikim më të mirë. Nga ana tjetër, peshku këshillohet shumë gjatë periudhës së shtatzënisë, pasi këto gra kanë një nevojë shumë të madhe për hekur.
Historia e ushqimit “antik”
Peshku ka qenë i pranishëm në jetën e njeriut gjatë gjithë historisë së shoqërisë njerëzore, jo vetëm si ushqim, por edhe si element simbolik apo shprehje e mitologjive të vjetra, që nga koha e paganizmit dhe më vonë i qytetërimeve të tjera, si antikiteti greko-romak. Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për njeriun amfib apo për Afërditën, Erosin, madje edhe për përbindëshit Typhon, që ishin gjysmë peshq dhe gjysmë njerëz e hyjni. Të tilla ishin dhe sirenat që iu shfaqën Odiseut gjatë kthimit të tij nga Itaka. Por, peshku ka qenë njëkohësisht edhe burimi i jetës dhe i ekzistencës së njeriut, madje një nga ushqimet më të pastra dhe të ushqyeshme të tij.
Në vende të ndryshme të botës ka popuj që peshkun e konsumojnë të gjallë, si për shembull aziatikët dhe kryesisht japonezët apo indo-kinezët. Sot gatimet e detit dhe sidomos peshku, janë ndër më të shtrenjtit në të gjitha restorantet, si ato elegante ashtu edhe ato më të thjeshtit.
Vërtet nuk mund të ketë ilaç më të mirë se sa të “marrësh” tri herë në javë nga goja një pjatë peshk, një gotë verë dhe një pjatë me sallatë jeshile apo perime të ziera, sepse, sipas studimeve më të fundit, nga mënyra e të ushqyerit rezulton se tumori prek 1 person ndër tre të tillë. Kështu, përveç ushqimeve që duhen evituar, për të shmangur rrezikun për t‘u sëmurë ekziston edhe një meny antitumor, që specialistët këshillojnë se duhet përdorur patjetër çdo ditë. Që frutat dhe perimet të bëjnë shumë mirë për shëndetin, këtë e kemi ditur prej kohësh, por në brendësi të këtyre kategorive kërkuesit kanë filluar të individualizojnë ushqimet për t‘u përdorur si armë specifike kundër llojeve të caktuara të tumoreve. Këtu, sigurisht që bën pjesë peshku vera dhe sallatat.