Me siguri që edhe ju bëni pjesë në kategorinë e njerëzve që sapo hapin sytë në mëngjes duan të hanë diçka. Por, për të tjerë të ngrënit në mëngjes është diçka e mërzitshme, sepse u shkakton përzierje dhe të vjella.
“Kjo gjendje ndodh shpesh tek ata persona që kanë një sistem tretës të ngadaltë apo stomaku i tyre nuk është plotësisht i zgjuar në mëngjes dhe kjo çon në një përgjigje të vonuar ndaj ushqimit,” shpjegon mjekja Shivani Amin.
Por, ka disa arsye pse kjo gjendje ndodh dhe mjekja rendit disa syresh prej tyre:
-Sheqeri në gjak është i ulët
Arsyeja më e zakonshme për të ndjerë të përziera në mëngjes është niveli i ulët i sheqerit në gjak pasi nuk keni ngrënë gjatë gjithë natës. Tingëllon e çuditshme, por përzierja ndaj ushqimit mund të jetë në fakt një sinjal se jeni të uritur dhe sheqeri në gjak ka rënë shumë poshtë, duke ju bërë të ndiheni të trullosur dhe pa fuqi.
-Jeni të dehidratuar
Kur nuk konsumoni lëngje gjatë gjithë natës, mund të përjetoni dehidratimin pas zgjimit. Zgjidhja? Pini një gotë ujë në mëngjes dhe më pas përpiquni të hani ushqime lehtësisht të tretshme si bukë e thekur, tërshërë, vezë etj.
-Keni ngrënë një darkë të bollshme
Tretja ngadalësohet gjatë natës, kështu që nëse keni ngrënë një vakt në sasi të bollshme një natë më parë, mund të ndiheni ende të ngopur kur zgjoheni. Stomaku dhe zorrët gjithashtu mund të mos jenë plotësisht të zgjuara në mëngjes, duke shkaktuar të përziera dhe një reagim të vonuar ndaj ushqimit.
-Shijoni më shumë ushqimet me sheqer ose të skuqurat
Ndonjëherë të përzierat janë rezultat i zgjedhjeve ushqyese që bëni në mëngjes dhe nëse zgjidhni ushqime të ëmbla ose të skuqura, ato mund të “bien” rëndë në stomak, ende pa filluar mirë ditën.
-Jeni shtatzënë
Një nga shenjat më të hershme të shtatzënisë në tremujorin e parë janë të vjellat në mëngjes. Nëse jeni në pritje të ëmbël ose dyshoni se jeni shtatzënë, është më mirë të flisni me mjekun tuaj, por vaktet e lehta, uji apo çaji mund t’ju ndihmojnë.
-Jeni të stresuar
Ndjenjat e shqetësimit dhe ankthit mund të shkaktojnë të përziera gjatë mëngjesit. Pse? Sepse nivelet tuaja të kortizolit (hormoni i stresit) rriten shumë dhe kjo mund të ndikojë në sistemin e përgjithshëm të tretjes, duke çuar në ndjesi të përzierash.