Tavë me kungulleshka dhe mish të grirë

Ushqime

Tavë me kungulleshka dhe mish të grirë

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 16:56
Ilustrim

Një recetë e thjeshtë dhe e shëndetshme që do të bëhet e preferuara juaj këtë verë.

Tava me kungulleshka dhe mish të grirë i ngjan lazanjës në përgatitje, por është më me pak kalori se receta klasike.

Shija perfekte e salcës e përgatitur me mish të grirë, qepë, domate dhe rigon do të kombinohet me freskinë e kungujve të stinës.

Do të mbeteni të kënaqur me këtë tavë aq sa do të doni ta përgatisni kurdoherë.

Përbërësit
3-4 kungulleshka të mëdha
500 g mish të grirë
250 g salcë domatesh
1 qepë mesatare
100 g djathë kaçkavall i grirë
1 lugë gjelle me vaj ulliri
1 lugë gjelle me rigon
2 lugë çaji me kripë
Gjysmë lugë çaji me piper të kuq

Përgatitja
Vendosni në zjarr një tigan që të ngrohet dhe aty hidhni vajin e ullirit.

Kur të jetë ngrohur mjaftueshëm hidhni aty qepën e grirë dhe skuqeni derisa të jetë zbutur për 5 minuta duke e përzierë herë pas here.

Shtoni mishin e grirë dhe lëreni të skuqet mirë.

Në fund shtoni salcën e domateve dhe lëreni mishin që të ziejë me lëngun e domates.

Përzjejeni mirë dhe lëreni në zjarr derisa lëngu i domates të ketë avulluar për 10 minuta.

AgroWeb.org ju këshillon që salca të mos jetë shumë e ujshme pasi tava me kungulleshka nuk do të mpikset mirë.

Shtoni dhe kripën, rigonin dhe piperin dhe lëreni dhe pak në zjarr dhe më pas hiqeni.

Ndërkohë që keni qëruar kungulleshkat nga bishtat dhe i keni prerë në shirita të hollë.

Merrni një tavë dhe shtroni shiritat me kungulleshka sa të mbuloni sipërfaqen e saj.

Sigurohuni që shiritat e kungulleshkave të jenë pranë njëra tjetrës dhe pa hapësira mes tyre.

Shtroni salcën e përgatitur dhe mbulojini komplet kungulleshkat.

Pas salcës spërkateni me djathë, dhe kështu vazhdoni derisa në fund të keni një shtresë me kungulleshka.

Sipërfaqen e tavës spërkateni përsëri me djathë kaçkavall për të krijuar një shtresë të shijshme e cila pas pjekjes do të bëhet krokante.

Piqeni në 200-250 gradë derisa sipërfaqja e tavës të ketë marrë nja ngjyrë të artë ose rreth 45 minuta.

Pas pjekjes hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet për 15 minuta para se ta prisni pasi duhet që ta lejoni tavën që të mpihet.

Mjafton ta shoqëroni me sallatë me perime të freskëta apo tarator plot shije

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat