Ushqimet e shëndetshme që mund të konsumojmë në darkë vonë

Ushqime

Ushqimet e shëndetshme që mund të konsumojmë në darkë vonë

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 00:18
Ilustrim

Të gjithë e kemi përjetuar atë ndjenjën e urisë gjatë orëve të vona të natës.

Fatkeqësisht, të konsumuarit ushqim vonë shpesh lidhet me shtimin në peshë për shkak të marrjes së kalorive, pra duket se nuk është zgjedhja më e mirë që mund të bëni.

Por nga ana tjetër të biesh në gjumë me stomakun bosh është një torturë më vete, kështu që pse të mos konsumosh një meze të lehtë?

Ka disa ushqime të shëndetshme që janë krejtësisht të sigurta për t’u ngrënë natën vonë, të cilat jo vetëm që do t’ju ngopin, por do t’ju ofrojnë edhe disa përfitime shëndetësore.

Tërshëra

Plot me fibra, një tas me tërshërë do t’ju mbajë të ngopur për gjatë natës, pa ju ngarkuar me karbohidrate ose sheqerna. Ju madje mund të shtoni fruta dhe arrorë për t’i dhënë trupit tuaj vitamina, minerale dhe proteina.

Vezë e zier

Një vezë e zier fort kërkon vetëm pak kohë për tu përgatitur, duke e bërë atë një zgjedhje të lehtë dhe të shpejtë. Kështu do ta mbushni trupin tuaj me proteina dhe yndyrna të shëndetshme, e do ta mbani urinë larg.

Tost me avokado

Avokadot janë zgjedhje ideale kur bëhet fjalë për ushqime të shëndetshme, pasi ato janë të pasura me vitamina, minerale, yndyrna të shëndetshme dhe fibra.

Ngrënia e një avokadoje para gjumit do t’i japë trupit tuaj gjithçka që i nevojitet për një gjumë të mirë dhe do t’ju bëjë gati për ditën e nesërme.

Kokoshkat

Përgatitja e kokoshkave në shtëpi ju lejon të hiqni shumë nga elementët që konsiderohen si jo të shëndetshëm, si për shembull vaji, kripa apo gjalpi.

Kokoshkat e përgatitura siç duhet, mund të furnizojnë trupin me antioksidantë, si dhe të ndihmojnë  me tretjen.

Frutat dhe Arrorët

Hidhni disa nga frutat dhe arrorët tuaja të preferuara në një tas për vaktin më të lehtë në botë. Frutat do t’i japin trupit tuaj shumë vitamina dhe minerale, ndërsa arrorët do t’ju falin yndyrna dhe proteina të shëndetshme, duke ju lënë mjaftueshëm të ngopur për një gjumë të rehatshëm.

Kosi

Një tas i vogël me kos do të jetë i mjaftueshëm për të larguar urinë e natës. Kosi është i mbushur me proteina, probiotikë dhe kalcium. E nëse dëshironi ëmbëlsi shtesë, provoni të shtoni fruta të freskëta.

Gjiza

Gjiza është një vakt shumë i mirë para gjumit, pasi përmban proteina, kalcium dhe yndyrna të shëndetshme. Është një alternativë më e shëndetshme se djathrat dhe nuk do ta ngopë trupin tuaj me natriumapo me kalori shtesë.

Ju mund ta shoqëroni më së miri me perime, pasi sigurojnë shumë lëndë ushqyese dhe nuk kanë  karbohidrate, sheqerna, gluten ose yndyrna të pashëndetshme.

Proshutë pule

Pavarësisht nëse zgjidhni të bëni një sanduiç ose të konsumoni vetëm disa feta proshutë mbi një fetë buke me drithëra integrale, kjo zgjedhje do t’ju mbajë të ngopur deri në mëngjes.

Nëse dëshironi të shtoni domate, marule ose avokado në përzierje, do t’i dhuroni trupit  antioksidantë, minerale dhe yndyrna të shëndetshme.

Një gotë qumësht

Një gotë qumësht me pak yndyrë fal shumë lëndë ushqyese përfshirë kalciumin. Qumështi është një zgjedhje e mirë që do t’ju mbajë të ngopur pa konsumuar sasi të mëdha ushqimi.

A është diçka e keqe të konsumosh ushqim natën?

Edhe pse miti se të ngrënit para gjumit shkakton shtim në peshë nuk është i vërtetë në vetvete, ngrënia e shpeshtë para gjumit mund të shkaktojë shtim në peshë për dy arsye:

Nëse po mbani një regjim ushqimor me qëllimin për të humbur peshë, ngrënia gjatë natës llogartitet si kalori shtesë.

Ngrënia e ushqimeve që janë të pasura me karbohidrate, sheqerna dhe kripëra menjëherë para gjumit do të thotë se do të hani më pak mëngjes ose do ta anashkaloni plotësisht vaktin. Diçka që mund të çojë në konsum të tepërt më vonë gjatë ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat