Mishi i kuq ka qenë pjesë e dietave në mbarë botën që nga kohët e hershme të njerëzimit dhe është një burim i shkëlqyer proteine, vitaminash (si ato të grupit B) dhe mineralesh (si hekuri dhe zinku).
Megjithatë, mishi i kuq ka qenë prej kohësh i lidhur me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës, kancer dhe vdekje të parakohshme.
Ajo që mund të mos jetë aq e njohur është lidhja midis konsumit të mishit të kuq dhe diabetit të tipit 2, shkruan ‘The Conversation’.
Një studim i botuar në revistën “The Lancet” në muajin shtator 2024 e evidentoi këtë lidhje duke përdorur të dhëna nga Amerika, Mesdheu, Europa, Azia Juglindore dhe Paqësori Perëndimor (duke përfshirë 20 vende).
Ky studim i fundit, me gati 2 milionë pjesëmarrës, zbuloi se konsumi i lartë i mishit të kuq të papërpunuar, si viçi, qengji dhe derri si dhe i mishit të përpunuar, si proshuta dhe sallami rriti mundësinë e diabetit të tipit 2.
Diabeti i tipit 2 është një çështje serioze shëndetësore që prek 462 milionë njerëz në mbarë botën.
Kjo gjendje ndodh kur trupi ynë nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk mund ta përdorë mirë atë.
Mishi i kuq përmban nivele të larta yndyrash të ngopura dhe nivele të ulëta yndyrash të pangopura, të cilat mund të ndikojnë negativisht në ndjeshmërinë ndaj insulinës.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se një konsum i lartë i proteinave nga burimet shtazore (në krahasim me burimet vegjetariane) mund të rrisë rrezikun për diabet të tipit 2, ndoshta për shkak të niveleve të larta të aminoacideve me zinxhir të degëzuar (BCAA) në proteinat shtazore.
Një tjetër mekanizëm i mundshëm përfshinë mikrobiotën e zorrëve, koleksionin e mikrobeve në zorrët tona.
Mikrobiota metabolizon kolinën (një lëndë ushqyese e domosdoshme) dhe L-karnitinën (një aminoacid që gjendet natyrshëm në ushqim), të dyja të pranishme me bollëk në mishin e kuq, duke prodhuar trimetilaminë. Nivelet e larta të trimetilaminës janë lidhur me një rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Edhe mënyra se si gatuajmë mishin mund të ndikojë. Gjatë gatimit në temperatura të larta, si pjekja në skarë, krijohen përbërës të dëmshëm të quajtur “produkte fundore të avancuara të glikacionit.”
Këta përbërës mund të dëmtojnë qelizat për shkak të stresit oksidativ, të shkaktojnë inflamacion dhe të rrisin rezistencën ndaj insulinës.
Me afrimin e festave të dimrit, ulja e konsumit të mishit të kuq mund të jetë sfiduese, sidomos për ata që e pëlqejnë shumë shijen.
Por, përpiquni t’i shoqëroni këto vakte me perime të pasura me fibra për një balancë më të shëndetshme.
Hapa të vegjël, si zvogëlimi i porcioneve ose zgjedhja e një dite në javë pa mish, mund të ndihmojnë në uljen e konsumit të mishit të kuq. Për ditët kur e konsumoni, provoni metoda më të shëndetshme si zierja ose përgatitja në tavë, në vend të pjekjes në skarë.