Ky është momenti dy atomjetet e parkuara pranë njëra-tjetrës në hyrje të Lungomares digjen nga zjarri. Ngjarja u shënua pas mesnatës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Sipas burimeve, ato janë lyer me benzinë dhe më pas u është vënë flaka.
Mjetet përdoreshin nga dy vajza, banuese në Vlorë.
Njëra e kishte në pronësi mjetin e djegur, ndërsa tjetra sipas burimeve e kishte marrë me qira.
Në funksion të identifikimit të autorit, policia mësohet se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në zonë.
Po ashtu do të merren edhe dëshmitë e dy vajzave, për të mësuar nësë ato kanë pasur konflikte apo kërcënime të mëparshme, për të arritur më tej në një pistë konkrete.
Djegia e qëllimshme e mjeteve gjithmonë është lexuar si një mesazh direkt paralajmërues për pronarët.
Fenomeni ka nisur në Vlorë disa vite më parë, ndërsa vitin 2020 u përhap thuajse në të gjithë Shqipërinë ku janë regjistruar disa dhjetra raste të djegies së qëllimshme të mjeteve.
Në shumicën e rasteve ngjarjet kanë mbetur pa autorë.