Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektuan punimet në anashkalimin e Vlorës, segment ky që është hapur provizorisht për pushuesit për të lehtësuar trafikun në drejtim të jugut të vendit.
“Një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare, e cila do të shkurtojë lëvizjen, nxisë zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale dhe sigurisht do t'u ofrojë udhëtarëve pamje nga më të bukurat drejt bregdetit të jugut, tanimë është në prag të përfundimit, por e hapur për lëvizjen e pushuesve”, thotë Kryeministri Edi Rama.
Ministrja Balluku informoi Kryeministrin mbi ecurinë e punimeve, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese u shprehën optimistë se brenda vitit ky aks do të përfundojë plotësisht.
Policia e Shtetit tha se do të ketë forcat e nevojshme të policisë për të mbikëqyrur trafikun në këtë qarkullim, edhe me radarë për shkak se është një rrugë e re dhe e panjohur për drejtuesit e mjeteve dhe kjo mund të shfaqë problematika.