Rreth 400 familje të fshatit Cerkovinë në Vlorë po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ata thonë se detyrohen çdo javë të blejnë ujë, ndërsa shtojnë se pavarësisht ankesave në Bashkinë e Vlorës ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Familja Veizaj në Cerkovinë të Vlorës vuan prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm.
Luftar Veizaj thotë se shpenzon deri në 20 mijë lekë të vjetra në javë për t’u furnizuar me ujë.
"Paguaj 1500-2000 lekë në çdo javë që më vjen uji këtu," thotë ai.
Ata thonë se kanë marrë kredi për të hapur pusin, në oborrin e tyre dhe të kenë ujë për gatim dhe larje.
"Unë jam në bankë akoma, paguaj pusin," thotë zonja.
Nuk është vetëm familja Veizaj që vuan mungesën e ujit të pijshëm, janë rreth 400 familje në Cerkovinë që prej vitesh kanë të njëjtin problem.
"Për ujë? Shumë e vështirë! Që atje ku është restoranti e deri te shtëpia ime e çoj ujin me karrocë kur më mbeten rrobat pa larë. Jam 70 vjeç," thotë një e moshuar.
Thonë se janë ankuar në bashki, por nuk kanë marrë asnjëherë zgjidhje.
"Ka shkuar fshati në bashki, ka dalë dhe në televizion edhe nuk u bë asgjë," thotë një banore.
Nga burimet jo zyrtare bëhet me dije se është pikërisht amortizimi i rrjetit të ujësjellësit që është bërë shkak për mungesën e ujit në fshatin Cerkovinë.