Një 49-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi ishte i shpalluar në kërkim. Mësohet se 49-vjeçarit i ishte caktuar masa “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë për veprimet e mëtejshme proceduriale.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.
Kapet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë një 49-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar nga DVP Tiranë, i akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Strukturat e Policisë të DVP Vlorë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i shtetasit:
– R. M., alias R. Z., 49 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 31.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
49-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë për veprimet e mëtejshme proceduriale. Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.