Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut disa rrugë në qytetin e Vlorës janë ende në ujë.
Situata më problematike paraqitet në lagjen “Lef Sallata”, atë “10 korriku” dhe pranë bibliotekës së qytetit.
Banorë, punonjës të bashkisë, forca të ushtrisë po punojnë për kthimin e situatës në normalitet
Vërshimi i ujit shkaktoi dëme në disa banesa e biznese.
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut mbrëmjen e të premtes bashkia largoi nga banesat 55 persona dhe i strehoi në konvikte.
Banorë të qytetit i ndihmuan me veshje dhe sende personale.
Në zonën pranë Kalasë reshjet shkakuan rënie gurësh dhe dherash nga një shkëmb.
Dy shtëpi u dëmtuan. Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz.
Me kthimin e situatës në normalitet kryebashkiaku i Vlorës premtoi dëmshpërblim për familjet e dëmtuara.
Të premten sipas shërbimit meteorologjik ushtarak në Vlorë vetëm për tre orë u regjistruan rreth 180 mm shi duke bërë që uji të vërshoi në rrugë e biznese.