Mbrëmjen e kaluar, në portin e Vlorës janë regjistruar vonesa të gjata dhe kontrolle intensive nga Drejtoria e Kufirit.
Për më shumë se tre orë, zbarkimi i 164 makinave nga një traget është bllokuar, ndërsa mjetet janë kontrolluar një nga një pa dhënë ndonjë arsye zyrtare për këtë veprim.
Ndërkohë, vonesat në zbarkim kanë shkaktuar pasoja edhe për nisjen e tragetit drejt Italisë. Pas përfundimit të kontrolleve, trageti është vonuar edhe më shumë për shkak të hipjes së pasagjerëve dhe imbarkimit të automjeteve.
Përveç kësaj, kushtet e motit të keq kanë ndikuar në shkëputjen e tragetit nga rada, duke shkaktuar vonesa shtesë për pasagjerët që po prisnin nisjen. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një deklaratë publike për arsyet e kontrolleve apo për masat e marra për menaxhimin e situatës.