Gripi i shpendëve është rikthyer në Vlorë, pas rasteve që u regjistruan në fund të tetorit në një fermë oborri familjar në Kashar. Ministria e Bujqësisë konfirmon se në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë janë gjendur disa shpendë të egër të ngordhur si pasojë e virusit H5N1.
“Ky është shpend uji, pulëbardha dhe pelikan sqepzi. Ditën e parë u gjetën 3 ekzemplarë dhe ditën e dytë u gjetën 6 ekzemplarë. Dy u çuan për analiza të mëtejshme në ISUV, ndërsa të tjerët u groposën. Nuk është për t’u alarmuar anë ngritur grupet e kontrollit edhe për shpendët e oborrit dhe deri tani, nuk kemi pasur raste pozitive”, tha mjeku veterinar Demir Dervishaj.
“Shpendët e ujit janë rezervuari i infeksionit, ata mund të preken shumë shpejt dhe të shfaqin shumë shpejt, duke çuar në ngordhje të shpejta dhe masive. Përhapet mjaft shpejt mes shpendëve, kjo varet nga dendësia e tyre. Një rrezik ekziston për shpendët e oborreve familjare, por edhe të komplekseve. Ata që kanë shpendë shtëpiakë të jenë vigjilentë, t’i mbajnë brenda ato, të mos kontaktojnë me shpendë të tjerë dhe të lajmërojnë menjëherë shërbimin veterinar”, tha Xhelil Koleci, professor në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në UBT.
Por sa rrezikohen fermerët dhe konsumatorët nga gripi i shpendëve?
“Kërkohet kontakt shumë i ngushtë, personat që kanë kontat me karakaset e tyre kanë një risk të shtuar, por personat e tjerë nuk rrezikojnë njësoj sepse virusi është në pjesën e poshtme të traktit respirator që kërkon dozë të lartë, kohë të gjatë kontakti. Edhe nëse ndodh diçka e tillë, mishi i tyre, pas përpunimit normal që bëhet për çdo produkt mishi apo veze, është një nga shkaktarët që nuk ka rezistencë në mjedisin e jashtëm, maksimumi 3 ditë”, tha Koleci.
Ndërkohë që ministria e Bujqësisë ka ngritur 7 grupe pune në terren për monitorimin e situatës, në SHBA u regjistrua vdekja e parë nga gripi i shpendëve.
Zyrtarët shëndetësore raportuan për një 65-vjeçar, që ishte shtruar në spital me simptoma të rënda respiratore në Luiziana, pas kontaktit që kishte pasur me shpendët e infektuar.