Arrestohen dy persona në Vlorë, kishin drogë në vlerë të 800 mijë eurove

Vlora

Arrestohen dy persona në Vlorë, kishin drogë në vlerë të 800 mijë eurove

Më: 30 janar 2025 Në ora: 10:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në Vlorë e kanë zhvilluar operacionin e koduar “VORTEX”.

Në njoftimin e lëshuar për mesia thuhet se janë arrestuar dy të dyshuar, për transportim të lëndëve narkotike.

Poashtu, janë sekuestruar rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 mijë eurove.

“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier.  Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur”.

“Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë”, thuhet në njoftim.

Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat