Bregu i detit përgjatë shëtitores ‘Lungomare’ në Vlorë ka marrë ngjyrën kafe për shkak të papastërtive të derdhura në det nga kanalet kulluese. Pas reshjeve të shiut të rëna gjatë të enjtes, ndotja përgjatë vijës bregdetare është dukshme, duke krijuar një imazh negativ për qytetin bregdetar.
Banorët e Vlorës tregojnë se kjo situatë është e përsëritur dhe se ndodh për faktin se të gjithë kanalet kulluese derdhen në det duke sjellë me vetë mbeturina të cilat ndosin mjedisin.
“Nuk nxirreshin kanalet e ujërave të zeza këtu, kjo është fatkeqësi e madhe. E ke detin, aq më tepër kur e ke pistën këtu. Po, shumë e shëmtuar ta shikosh kështu. Nuk është se e kanë nxirë vetëm këtu, e ke në gjithë bregdetin”, u shpreh një qytetar.
“Mua nuk më pëlqen, unë e dua detin e pastër. Ky është llum, kanë nxjerrë llum”, tha një zonjë.
Një tjetër qytetar ka shprehur pakënaqësin e tij i cili vjen shpesh për pushim në Vlorë.
“Po, më bën përshtypje. Andej ishte deti i kaltër, këtej pistë. Është e shëmtuar, se unë nuk jam vlonjat, por kur vij në Vlorë, vij me kënaqësi për të parë gjëra të bukura”, tha ai.
Qytetari i radhës tha se është diskutuar si problematikë.
“Po, më bën shumë përshtypje dhe e kemi diskutuar. Ose e sjell kanali që derdhet në det mbeturina, po shumë e shëmtuar është”, tha një moshuari.
Një tjetër zotëri tha se deti në ‘Lungomare’ nuk është bërë asnjëherë në këtë gjendje.
“Po, është shumë i turbullt, jo i kthjellët uji. Nxjerr mbeturina, por pse është i turbullt, sikur ka rënë shi i madh? Po asnjëherë s’ka qenë kështu.”
Përveç faktit se mbeturinat shkaktojnë ndotje dhe përhapin sëmundje tek qytetarët, kanali Siavit që derdhet në det, shpesh herë për shkak të bllokimit nga mbeturinat, ka sjellë edhe përmbytjen e qytetit.