Peja ka fituar Kupën e Kosovës, tani synon edhe titullin e kampionit. Për këtë shprehet optimist kryetrajneri pejan, Qazim Kelmendi.
Në mes javë pejanët triumfuan në finale të Kupës, duke e mposhtur me rezultat 3:2 Ferizajn.
Kelmendi tha se kanë një ekip shumë të mirë dhe në garë për titull si rival të fortë i sheh Ferizajn, Dritën dhe Golden Eagle Therandën.

Ai po e përgatitë ekipin për fazën e garave përfundimtare, që të kërkojë edhe titullin e kampionit.
“Bota sot”: Peja fiton Kupën e Kosovës! A keni besuar se do të fitoni për faktin se ishit në disvantazh në setin taj-brek, 12:10, duke triumfuar me 14:16 dhe me rezultat të përgjithshëm 2:3?
Qazim Kelmendi: Vërtet kur ishim me at rezultat kemi qenë pak skeptik, po thënë të drejtën vazhdimisht kërkoja që deri në pikën e fundit të kërkonim ku edhe ndodhi.
Kur them kërkonim, fjala është që për çdo top të jepnim të gjitha mundësitë dhe qe të përpiqemi ta ruajmë qetësinë.
Sepse në setin taj-brek, zakonisht ekipi që ruan qetësinë del fitimtar.
“Bota sot”: Çka e veçojë Pejën ndaj Ferizajt?
Qazim Kelmendi: Pejën e veçoj nga Ferizaj vetëbesimi, se mund të kthehemi në rezultat pozitiv dhe ta fitojmë Kupën.
“Bota sot”: A besoni se do ta fitoni edhe titullin dhe kë e sheh rival më të denjë?
Qazim Kelmendi: Rivalët kuptohen që janë që të 3 ekipet: Ferizaj, Drita, Golden Eagle Theranda.
Po ne kemi besimin dhe që do të dalim edhe kampion, duke e ditur që në radhët e KV Peja ka lojtar shumë cilësor dhe puna jonë do shpërblehet. Kemi edhe dy ndeshje ku edhe përcaktohet radhitja kush nga cila pozitë do të startoj për Play-off.
“Bota sot”: Çfarë i mungon Pejës?
Qazim Kelmendi: Besim të përkushtuar për garat në vazhdim, Kupën kemi vendos në vitrina të klubit ditën e enjte, të premten kemi pushu dhe sot vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt përmbylljes me titullin kampion.