Selektori i Kosovës grumbullon volejbollistet, përgatitet për Podgoricë

Volejboll

Selektori i Kosovës grumbullon volejbollistet, përgatitet për Podgoricë

Më: 23 prill 2021 Në ora: 15:28
Lorik Ilazi

Kombëtarja e Kosovës në volejboll te vajzat, nga sot do të grumbullohet në Istog, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2021.

Volejbollistet e drejtuara nga Lorik Ilazi, para nisjes për kampin që do të organizohet në Istog, sot janë pritur nga drejtuesit e Federatës, anëtarët e bordit Abedin Mehani, Valon Xhafaj e Dibran Kastrati, të cilët u kanë uruar sukses në misionin e radhës.

Mehani duke ju uruar suksese, ka shfaqur edhe njëherë mbështetjen e plotë të Federatës, për kombëtaren.

Volejbollisteve u është drejtuar edhe menaxheri i Kombëtares Agron Istogu, i cili i ka falënderuar për casjen që secila prej të fturava ka patur ndaj fanelës së kombëtares.

Përzgjedhësi Lorik Ilazi i ka njoftuar edhe njëherë me programin e kampit përgatitor në fazën e parë në Istog, e me mundësinë që pastaj të vazhdojnë edhe jashtë vendit.

Kosova gjendet në grup me Finlandën, Sllovakinë dhe Malin e Zi.

Në shtabin teknik, Kosovës i është bashkuar edhe ish-volejbollistja e kombëtares së Shqipërisë, Amarilda Prenga, e cila angazhimin te Kosova e sheh si mision të veçantë.

Kualifikimet do të jenë të veçanta edhe për kapitenen Adelajda Prenga, e cila për herë të parë do ta ketë motrën e saj Amarildën si trajnere.

Vlerë e shtuar te kombëtarja do të jenë edhe dy volejbollistet Venera e Zyla Kadriu, që luajnë në Universitetin e Northwood në SHBA.

Në këtë grumbullim, nuk munguan edhe emrat e ri në listën e të ftuarave nga Lorik Ilazi, mes së cilave edhe Lorina Mehmeti, Loresa Avdyli e Leonita Hoxha.

Ndeshjet e fazës së parë të grupeve, zhvillohen në Podgoricë të Malit të Zi nga 7 deri më 9 Maj, kurse ato të fazës së dytë zhvillohen në qytetin Nitra në Sllovaki, nga 13 deri më 15 Maj 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat