Ish volejbollistja më e mirë shqiptare, Amarilda Prenga, tani si trajnere, po e sjell përvojën e saj në Kombëtaren e Kosovës.
Amarilda po punon pareshtur me selektorin e Kombëtares së Kosovës, Lorik Ilazi, që t’i përgatisin vashat sa më mirë për sfidat kualifikuese të CEV EuroVolley 2021, që do të zhvillohen nga data 5 maj në kryeqytetin malazez, Podgorica.
Ish lojtarja e Kombëtares së Shqipërisë, po ndihet shumë mirë në ambientin e Kosovës dhe e kënaqur jashtëzakonisht edhe me punën që bëhet nga stafi.
Si po ndihesh si trajnere në Kombëtaren e Kosovës, sa dallon atmosfera me kohën kur ishe lojtare në Kombëtaren Shqiptare?
“Ndryshon statusi në fakt, por kam te njëjtin pasion.
Gjej vajza që kam luajtur me to dhe kundra .
Ne flasim shqip mes veti dhe atmosfera është gjithmonë pozitive e atdhedashëse në dy rastet.
Gëzoj kur shikoj këto vajza që do të përfaqësojnë me plot krenari Kosovën e bukur”, tha Prenga për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Amarilda vjen prej një familje sportistesh – volejbollistesh, pasi që edhe motrat e saja janë shumë të suksesshme, si Arjola Prenga, aktualisht lojtarja më e mirë shqiptare dhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, motra e vogël Adelajda është anëtare e Dritës nga Gjilani dhe kapitene e Kombëtares së Kosovës.
Motrat Prenga janë emocionalisht të lidhura me Kosovë dhe janë në gjendje qoftë nevoja edhe të vdesin për këtë shtet sepse është njësoj si shtetit shqiptar.