Ashtu sikurse ishte njoftuar, Federata Shqiptare e Volejbollit ka hedhur paraditen e djeshme shortin e sezonin 2021-2022.
Ceremonia u zhvillua në sallën “Feti Borova” në Tiranë, e drejtuar nga krerët e FSHVsë, presidenti Erlind Pëllumbi dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola, me prani të përfaqësuesve të klubeve.
Këtë sezon,siç dihet, kampionatet vijnë në formatin e Superligës për meshkuj dhe femra. Në fillim u hodh shorti i meshkujve, teksa java e parë ofroi këto përballje: Vllaznia-Elbasani, Erzeni-Skënderbeu, Farka-Studenti dhe Teuta-Partizani, ndërsa Tirana do të qëndrojë pushim. Ndërkohë, Superliga e femrave dhuroi këto sfida në debutim: Lushnja-Tirana, Apolonia-Skënderbeu, PartizaniFlamurtari dhe Vllaznia-Barleti. Për sa i përket Kategorisë së parë për femra, në javën e parë do të kemi këto sfida: Elbasani-Teuta, Club Albania-Mirdita, ndërsa Korabi qëndron pushim.
FSHV-ja konfirmoi se sezoni pritet ta ngrejë siparin në javën e parë të tetorit. Ndërkohë, në bazë të renditjes së fazës së parë do të përcaktohet edhe kalendari i Kupës së Shqipërisë. Përveç shortit në mbledhjen e djeshme, FSHV-ja iu dha, gjithashtu, edhe disa njoftime shumë të rëndësishme anëtarëve.
Kështu, të gjitha klubet shumësportëshe duhet patjetër plotësojnë procedurat për t’u kthyer në shoqata, ndërsa duhet të paraqesin në federatë dokumentacionin e aplikimit. Po ashtu, federata ka bërë të ditur se do të vijohet me statistikat, ndërsa mangësitë me numrin e personave të trajnuar për statistikat do të bëjnë që kampionatet të shtrihen gjatë të gjithë fundjavës (të premten, të shtunën dhe të dielën.