Fer Volley nga Ferizaj, klub i ri por që është shembull për të gjithë, ka fituar trofeun e parë në histori të klubit, Kupën e Federatës (FVK-së).
Volejbollistet ferizajase treguan zemër të madhe në krye me kapitenen Valmira Ramadani, duke i dhënë leksion kampiones në fuqi Dritës nga Gjilani.
Fer Volley triumfon me rezultat 3:1 (25:17, 22:25, 25.14, 25:16) ndaj Dritës, në finalen që u zhvillua në palestrën e sportit “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.
Fer Volley
Gjithçka funksiononte si ora zvicerane në radhët e vashave të Fer Volleyt me kryetrajner Edon Ibrahimi.
Me përjashtim të setit të dytë që e humbën, tre setet tjerë i dominuan dhe i fituan bindshëm.
Çdo repart funksiononte për mrekulli, kampionja e paforcë dhe e dorëzuar karshi të ashtuquajturit uragan Fer Volley.
Valmira Ramadani, lojtare si ‘bishë’, që sa herë paraqitet shkakton frikë për rivalet, tha se është e emocionuar për trofeun e çmuar.
Ajo është sikur në qiellin e shtatë dhe për një arsye të fortë, si klub janë debutues në elitë dhe fituan trofe, duke e përmbyllur vitin 2021 në mënyrën më madhështore.
“Thënë të drejtën, jam ende e emocionuar dhe po e shijoj momentin.
Ekipi i Dritës, ekip shumë i mirë, i kompletuar dhe dihet që është rivali direkt për titull dhe kjo na bën neve të punojmë edhe me fort. ndeshja shkoj 3:1 me sete, puna e fort në ekip dhe angazhimi maksimal i vajzave në ekip të cilat i përgëzoj dhe i falënderoj shumë sepse kanë bërë punë të shkëlqyer.
Kupa e Federatës ishte një nga synimet tona dhe mendoj se tani pushojmë më mirë”, tha Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Volejbollistja, ndryshe është anëtare e Kombëtares së Kosovës, nuk e kishte të lehtë përballjen me ish ekipin e saj.
Kujt ia dedikon fitoren?
“Kupën ia dedikojmë qytetit, tifozëve të klubit dhe familjarëve, që nuk ndalën kurrë duke na perkrah neve në fushë”, përfundon Ramadani.