Ka abuzime seksuale në Kosovë, - thonë dy ish nënkryetarë të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Visar Alimehaj e Hysni Prelvukaj.
Dy burra që morën guximin të thonë hapur se ka abuzime seksuale në sportin e Kosovës.
Alimehaj e Prelvukaj, kanë qenë në pozita të larta dhe shprehin shqetësimet e tyre, madje Alimehaj ka sugjeruar që të mbahet edhe një seminar në këtë drejtim, që do t’ju shërbejë për vetëdijesim dhe luftimin e këtyre dukurive shëmtuese.
Dy ish nënkryetarë të një federate të respektuar siç është volejbolli, alarmojnë për abuzime seksuale në sportin e Kosovës.
“E kam ngrit këtë shqetësim edhe tek Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.
Ka raste të abuzimeve edhe në Kosovë. Disa janë lajmëruar dhe shumica as nuk lajmërohen.
Këtë punë duhet ta merr shumë seriozisht Ministria por edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Para dy vitesh e kam kuptuar se kanë qenë dy raste të lajmëruara në prokurori. Mirëpo, kam kuptuar se ka raste tjera të ngacmimeve dhe abuzimeve”, ka thënë Alimehaj.
Një fakt interesant dhe shqetësues është nga Prelvukaj, i cili shprehet për gazetën "Bota sot": “Ka pas shumë prej atyre që kanë abuzu e sidomos nga pozita e trajnerit apo ‘shefave’ të klubeve!”
“Visar, mos u bën merak se dikush që po kundërshton anonim e paska prek dikë ose e ka haverin aty ku mund ta prek kjo temë.
Ka pas shumë prej atyre që kanë abuzu e sidomos nga pozita e trajnerit apo ‘shefave’ të klubeve!
Kurse këta avokatët që po ju dalin në mbrojtje me siguri se me ndihmën e tyre janë akomodu brenda FVK-ës.
Për hir të atyre që kanë abuzu një pjesë e komunitetit dhe besa edhe sportiste aktive e kanë lanë sportin e volejbollit por edhe në sporte tjera janë largu nga aktiviteti vetëm mos me leju veten me u taku me at ‘soj’ personash!”, ka thënë Prelvukaj.
Nga ana tjetër Federata e Volejbollit e Kosovës, deri me tash nuk ka dalur me ndonjë reagim zyrtar ndaj dy ish nënkryetarëve të saj, përveç që ka deklaruar një zyrtar brenda zyrës së FVK-së, në kushte anonime: “Alimehaj ose t’i duhet t’i qet emrat se kush janë ose duhet t’i çojë në polici e prokurori.
Nëse Alimehaj ka diçka konkrete le ti sjell dëshmitë në federatë, e federata i procedon në polici dhe prokurori. Nëse ai nuk do mi pru në federatë, le t’i çojë në polici e prokurori. Nëse nuk i çon emrat, të gjitha këto janë thashetheme e Alimehajt.
Përndryshe i ka prek të gjitha sportet veçmas gjininë femërore. Edhe Bujar Dervishaj, derisa nuk është prezent këtu por jeton e vepron në Zvicër, nuk është mirë të flet prej kornerit.
Nëse ai di diçka le të urdhëron në federatë ose në polici e prokurori.
Nëse siç ka thënë Alimehaj, iu ka thënë Besim Hasani, le t’i qesin dëshmitë dhe t’i dërgojnë në organet përkatëse. Në një shtet të zhvilluar, policia duhet mu marrë me këto që kanë deklaruar ose janë deklarata të rreme. Sepse po shkaktojnë mjegull e nuk po thonë asgjë”.
Ka reaguar edhe trajneri i mirënjohur i volejbollit, Bujar Dervishaj, duke kërkuar që të mbahet një seminar, i cili do të ishte shumë domethënës në përgjithësi për sportin. “Respekt për Visar Alimehaj që e ka hap këtë temë për diskutim.
Ndërsa Komiteti Olimpik i Kosovës duhet ta formojë menjëherë Kampanjën dhe të organizon stafin i cili përkujdeset për
Sportistët dhe Sportistet…
Emri i kësaj kampanje le të quhet “NA TREGO” ose “SI JENI” ku sportistet munden te Kontaktojnë stafin dhe te ju tregojnë për te gjitha Problemet qe i kanë gjatë karrierës së tyre sportive dhe jo vetëm për ngacmime apo abuzime seksuale por edhe ato mentale etj.”, ka thënë Dervishaj.
Klubi më i vjetër në kryeqytet, Prishtina F. (femrat), nuk ka qëndruar indiferent në këtë rast por ka dhënë një mesazh të fuqishëm për të gjithë, sidomos duke iu kërkuar prindërve të kenë kujdesin kah po i çojnë fëmijët! Prishtina si klub ka një mesazh domethënës për shoqërinë sportive.
“Nuk e dijmë këtë sigurt përderisa nuk ka fakte për këtë gjë! Por, përderisa flitet për këtë fenomen në gjithë botën! Atëherë pse mendojmë që nuk ndodhë në Kosovë!
Prindër të dashur, bëhuni vigjilent për fëmijën tuaj, informohuni për trajnerin, stafin etj. dhe mundohuni të drejtoni fëmijën tuaj me trajner të gjinisë së njëjtë dhe gjeni klube serioze sepse parandaloni këtë dukuri të shëmtuar që po rrezikon fëmijët tanë”, reagon KVF Prishtina F.
Një javë që po e lëmë pas por po alarmon sportin tonë. Këto janë deklarata tronditëse, të cilat po i dëgjojmë kudo në botë, por tani edhe në Kosovë!