Shumë herë ka pakënaqësi në zgjedhjen e më të mirëve të vitit në secilën degë sportive.
Një deklaratë që mbahet mend edhe sot, është e volejbollistes së Dritës nga Gjilani, Vlora Hasani – Berisha.
Kur askush nuk guxonte të ngrit zërin dhe t’i kundërshtonte hilet e trajnerëve në vitin 2011, është fjala për votimin e më të mirëve, Vlora doli hapur duke i qit para aktit të kryer të gjithë.
Vlora reagoi në vitin 2011, sipas saj u zgjodh volejbollistja që nuk e meritoi!
“Edhe vetë Sherifja (Behrami) e di se nuk e ka merituar këtë çmim. Ajo nuk ka qenë as rezerviste në Përfaqësuese, nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje ndërkombëtare, nuk ka asnjë sukses me skuadrën e saj, por kjo që ka ndodhur le të mbetet në ndërgjegjen e trajnerëve.
Mendoj se katër volejbollistet më të mira sivjet kanë qenë Flutura Hasani, Vildane Jashari, Shemsije Asllanaj dhe Vlora Hasani. Jam e zhgënjyer me vlerësimin e trajnerëve", kishte deklaruar në vitin 2011 Vlora Hasani – Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Edhe sot vlen kjo deklaratë e saj sepse ka ende padrejtësi pothuajse në çdo degë sportive, sa e sa herë më të mirët mbeten jashtë garës!
Vlora edhe sot është më e guximshmja nga ish volejbollistet dhe volejbollistet, gjithmonë e thotë hapur dhe i kundërshton padrejtësitë.