Pas Skënderbeut e Tiranës edhe skuadra e Partizanit në volejboll për femra ka ndërhyrë në merkaton e dimrit, duke sjellë 4 lojtare nga Turqia.
Lajmin e ka konfirmuar klubi kryeqytetas përmes një postimi në rrjetet sociale, duke bërë me dije edhe emrat e volejbollisteve. Ato janë federuar më 31 janar, ditën e fundit të merkatos së dimrit.
Bëhet fjalë për shuteret Ayse Kilic, Hilal Sanli e Buse Cetin si dhe organizatoren Asli Kocoglu. Madje kjo e fundit ka debutuar një ditë më parë me Partizanin, në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë (të kuqtë fituan 3-0 ndaj Lushnjës).
Përforcime që konsiderohen të rëndësishme për Partizanin e trajnerit Andi Lundra, që luan për të mbrojtur titullin kampion fituar vjet. Presidenti Rogert Huqi, ashtu sikurse kishte premtuar, ka sjellë lojtarët e huaja, duke e bërë mjaft të fortë kampionatin në fazën e dytë.