Pas humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë vjen një tjetër ndalesë për Skënderbeun në volejboll për femra. Korçaret u mundën 3-1 në kryeqytet nga Barleti Volley, në takimin e vlefshëm për javën e 11-të të Superligës.
Një ndeshje me rivalitet shumicën e kohës, sidomos në setet e fituara nga barletaset. Vendaset fitojnë 25-23 setin e parë, por Skënderbeu barazpeshon shifrat, pas fiton 25-18 setin e dytë.
Në dy setet e tjera loja është sërish e ekuilibruar, me Barleti që fiton 25-22 e 25-23, duke konsolidouar vendin e tretë në renditje. Korçaret vijojnë të kryesojnë renditjen e Superligës dhe për to kjo ishte humbja e parë në kampionat.
Fiton edhe Tirana, që mundi 3-0 në Vlorë ekipin e Flamurtarit (25-15, 25-10, 25-12). Një ndeshje që ishte si një stërvitore për bardheblutë, që tashmë ngushtojnë në tri pikë diferencën në renditje me Skënderbeun.
Superliga-Femra, java e 11-të
Vllaznia – Lushnja, 3-0
Partizani – Apolonia, 3-0
Flamurtari – Tirana, 0-3
Barleti Volley – Skënderbeu, 3-1
Renditja: Skënderbeu 30 pikë, Tirana 27 pikë, Barleti Volley 24 pikë, Vllaznia 20 pikë, Partizani 19 pikë, Lushnja 6 pikë, Apolonia 6 pikë, Flamurtari 0 pikë.