Volejbollisti nga Shqipëria, Tuad Drinazi, shpreh shqetësimet e tija, me rastin e paprecedent që i ndodhi në klubin e Skënderbeut të Krajishtës nga Lipjani.
Drinazi as në ëndërr nuk e pa se do të largohet nga ekipi papritur, sipas tij kjo ishte përgjigja: Nuk kemi para si klub.
Volejbollisti e pranon se nuk ka pasur kontratë me klubin e Skënderbeut, që garon në Superligën A të Kosovës, por nuk e ka pritur një sjellje të tillë nga ana e tyre.
Ai tha se u larguan në kohën kur nuk mund të shkojnë askund deri në sezonin e ri, ndërsa kërkon që të ndërhyjë Federata e Volejbollit e Kosovës dhe të ruajë imazhin e këtij sporti.
Drinazi tregon se i mbeten borxh dhe do të ankohet edhe në Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV).
“Bota sot”: Cilat janë arsyet që jeni larguar nga Skënderbeu?
Tuad Drinazi: Unë jam një sportist që vij nga Shqipëria dhe kam luajtur që nga fillimi i fazës së parë dhe deri javën që kaloi tek ekipi i Skënderbeut.
Unë këtu tek ky ekip kam ardhur që t’i ndihmoj këtë ekip sepse vij nga një kampionat më i fortë.
Në fazën e parë të kampionatit çdo gjë ishte e mirë dhe korrekte nga ana e tyre, por tani në fazën e dyte ndryshuan gjërat.
Në fazën e dytë të kampionatit kur biseduam, folëm për 10 ndeshje të fazës së dytë.
Ekipi Skënderbeut i pa gjërat që nuk mundem mi mposht gjitha ekipet në Kosovë dhe e ka pa të arsyeshme me na largu ose mos me qenë më pjesë e ndeshjeve të tyre për shkak se nuk ka gjasa as në Play - Off me luajt dhe mos të shpenzojnë më shumë për 6 ndeshjet që kanë mbetur.
Ky, pra është sistemi i keq për sportistët.
Unë nuk e kuptoj këtë gjë nga ekipi i Kosovës si i dëmton lojtarët e huaj që vijnë e luajnë atje?! Këtu duhet të ndërhyjë dhe federata e Volejbollit e Kosovës në këtë çështje për shkak të mos prishjes së imazhit të volejbollit të Kosovës.
“Bota sot”: Sa iu ka mbetur borxh?
Tuad Drinazi: Edhe 6 ndeshje kam pasur të bëj. Me kanë mbetur borxh. Borxhi është rreth 1.000 euro.
“Bota sot”: Tani?
Tuad Drinazi: Çfarë të them, këto me lanë pa sport deri sezonin tjetër.
“Bota sot”: A do të ankoheni edhe në CEV?
Tuad Drinazi: Po, do të ankohem.
“Bota sot”: Iu kanë premtuar se do të shlyhet borxhi, cila është përgjigja?
Tuad Drinazi: Jo, me kanë thënë se nuk kemi para, nuk do të vijnë 6 javët tjera. Kishim folur për 10 ndeshje, 4 i kemi luajtur, 6 jo. Tani nuk mundem të lozim askund më. Kemi qenë dy lojtarë, unë dhe Klaudio Preka.
“Bota sot”: Për fund?
Tuad Drinazi: Unë ia sigurova Superligën A dhe pasi e siguruan këtë me thanë ik, sepse nuk kemi më para dhe na vjen keq. Këtë e dijnë gjithë që mbeten falë meje aty në atë ligë.
Por sezonin tjetër do të jenë në Superligën B ose në divizionin 1.