Këtë vikend, Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 në sportin e volejbollit të femrave do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër Kombëtares së Shqipërisë U19.
Vashat e Kosovës do t’i zhvillojnë këto dy përballje në qytetin e Istogut, ku janë duke qëndruar tash e disa ditë në kampin stërvitor të organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK).
Qëllimi i këtyre dy miqësoreve do të jetë përgatitja para ndeshjeve që i presin në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U19, në Grupin 1.
Vlen të theksohet se ndeshjet e këtij grupi, në të cilin bëjnë pjesë edhe Estonia, Hungaria dhe Turqia, zhvillohen në Prishtinë, mes datave 8 dhe 10 prill.