Kombëtarja e meshkujve në volejboll do të marrë pjesë në periudhën maj-qershor në Ligën e Argjendtë në volejboll (Silver League).
Shqipëria e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Jani Melka ndodhet në Grupin B, bashkë me Rumaninë, Bosnjë-Herzegovinën e Maqedoninë e Veriut.
Kuqezinjtë kanë disa ditë që stërviten dhe pjesë e kësaj faze janë dy ndeshje miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj rivalëve të saj në grup, Maqedonisë së Veriut. E para është luajtur në Mavrovë dhe është fituar 3-2 nga fqinjët tanë (19-25, 25-18, 25-17, 26-28, 15-12).
Ndeshjet e Ligës së Argjendtë do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Pra, kuqezinjtë do të zhvillojnë 6 ndeshje, tri prej të cilave në Tiranë. Trajneri Melka ka përzgjedhur elementët më të mirë, me objektivin për të shkuar në fazën finale të këtij eventi.
Liga e Argjendit-Grupi B
24 maj, Shqipëri-Rumani, 19:00
28 maj, Bosnjë H.-Shqipëri, 16:00
1 qershor, Maqedoni V.- Shqipëri, 20:15
4 qershor, Shqipëri – Maqedoni V., 19:00
8 qershor, Shqipëri – Bosnjë H., 18:00
12 qershor, Rumani – Shqipëri, 17:00