Kombëtarja e Kosovës U22, meshkujt, e përbërë nga dyshja Erion Bajrami dhe Ermal Maliqi kanë mposhtur dyshen armene Asmarya, K/Nazaryan me rezultat 1-2 (14-21, 21-13, 15-10) në sete, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian në Beach Volley.
"Dardanët" ishin absolutisht brilantë në dy setet e fundit duke përmbysur disavantazhin nga seti i parë, për të triumfuar falë një paraqitjeje inspiruese, e cila sigurisht se do të shërbejë si motiv shtesë për ndeshjen e radhës.
Pas setit të parë, Bajrami dhe Maliqi dëgjuan me vëmendje udhëzimet e trajnerit Fatlum Hajrizi, duke dalë në fushë me një mentalitet impresiv fituesi.
Përballjen e radhës kualifikuese, Kosova e zhvillon kundër Greqisë me fillim nga ora 16:15.