Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj është mundur sot pasdite 3-0 nga Rumania në ndeshjen e fundit të Grupit B, e vlefshme për Ligën e Argjendtë (25-28, 25-19, 25-22 rezultati i tre seteve). Ndeshja e luajtur në Galati të Rumanisë është dominuar nga kombëtarja vendase, që siguron vendin e parë në grup.
Ndërsa për Shqipërinë kjo humbje ishte shumë e rëndë, jo vetëm në shifra por edhe për faktin se eliminon kuqezinjtë nga gara për titull. Kombëtarja shqiptare zbret në vendin e tretë, duke u eliminuar. Në vendin e dytë u ngjit Maqedonia e Veriut, që fitoi 3-0 në Bosnjë dhe falë setavarazhit më të mirë kualifikohet në “final four”.
Një fat i keq për kuqzinjtë, që e mbyllën renditjen në kuotën e 10 pikëve, po aq sa fqinjët maqedonas, të cilët i mposhtëm dy herë, në Tiranë e shkup. Por setavarazhi: 12-11 për Shqipërinë dhe 13-10 për Maqedoninë kualifikon këta të fundit dhe eliminon Shqipërinë, që arriti në fazën e grupeve 3 fitore e 3 humbje (e fundit u rendit Bosnja).
Për sa i përket ndeshjes së luajtur sot në Galati të Rumanisë, ajo u komandua e fitua me meritë nga kombëtarja vendase, ndjeshëm më superiore në fushë.
Kombëtarja e trajnerit Jani Melka ishte e lodhur dhe e pafuqishme, duke mos dhënë atë që pritej në fushë, teksa në të trija setet ishte në ndjekje të kundërshtarit, pa patur mundësi të rivalizojë.