Klubi më i vjetër i volejbollit në kryeqytetin e Kosovës (femrat), Prishtina F, reagon në lidhje me disa thashetheme.
Kryesia e KV Prishtina F, tha se klubi është i organizuar ashtu si i ka hije dhe askush nuk e ka të drejtën të flet në emër të saj.
Reagimi i klubit ka ardhur në adresë të redaksisë, duke përgënjeshtruar çdo deklaratë të çdo individi apo personave pa kompetencë që e lakojnë emrin e klubit.
“Reagim: Po qarkullon një lajm i cili është i rrejshëm dhe klubi nuk është në negociata me askënd për ndonjë pozitë në klub përveç trajnerit dhe përforcimet me volejbolliste.
Klubi i ka të gjitha strukturat ashtu si i ka hije si klubi më i vjetër në kryeqytet, ka presidenten, drejtorin sportiv, sekretarin teknik. Klubi është duke punuar në krijimin e strukturës administrative.
Si klub i kemi përcaktuar objektivat tona për edicionin e ri dhe së shpejti do t’i shpalosim ato”, reagon KV Prishtina F, e cila e mban në logo portretin e ish sekretares historike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.