Kombëtarja U20 e Kosovës ka mbajtur grumbullimin e parë seleksionues, nën mbikëqyrjen e trajnerit Blendi Haxhikadrija, të premten pasdite, në Fakultetin e Edukimit dhe Sportit.
Interesimi nga lojtarët ka qenë i kënaqshëm, derisa nesër - në ditën e dytë të grumbullimit seleksionues - kontigjentit do t'i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm i volejbollistëve.
Pas grumbullimit të dytë, do të përzgjidhen 14 volejbollistët më premtues, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë grupmoshë, në Kampionatin Ballkanik U20 që do të zhvillohet mes datave 6-10 shtator në Shqipëri.
Në grumbullimin e parë trajnerët kryesisht u fokusuan te forma fizike dhe parametrat antropometrik të lojtarëve. 14 lojtarët e përzgjedhur javën e ardhshme, përgatitjet do t'i vazhdojnë në Gjakovë, para nisjes për në Shqipëri.
Grumbullimi i dytë mbahet të shtunën, me fillim nga ora 17:00.