Ka startuar java e dytë e Superligës në volejboll për femra.
Skuadra kampione e Skënderbeut fitoi 3-1 ndaj Vllaznisë në Shkodër, duke korrur suksesin e dytë në po kaq takime të luajtura. Një fitore e rëndësishme e ekipit korcar ndaj një rivali direkt për titull, dy skuadra që kanë disa volejbolliste të huaja në përbërje.
Skënderbeu fitoi 25-22 setin e parë, ndërkohë që shkoidranet replikojnë, duke fituar 25-20 setin e dytë. Mjaft i bukur seti i tretë, vendosur në pikët shtesë në favor të Skënderbeut 26-24, që më pas e ka të lehtë të fitojë 25-15 setin e katërt e krejt ndeshjen 3-1.
Fitoren e parë në kampionat korri edhe Tirana, që mposhti me lehtësi Lushnjën në Farkë me rezultatin 3-0, duke marrë tri pikët e para në kampionat. Lushnjaret rezistuan vetëm një set e më pas Tirana dominoi e fitoi pa probleme (25-20, 25-15, 25-18).
Superliga-Femra, java e dytë
Lushnja – Tirana, 0-3
Vllaznia – Skënderbeu, 1-3
Korabi – Tirana, 8 tetor
Teuta – Barleti Volley, 8 tetor
Renditja: Skënderbeu 6 pikë, Barleti Volley 3 pikë, Partizani 3 pikë, Tirana 3 pikë, Lushnja 3 pikë, Teuta 0 pikë, Vllaznia 0 pikë, Korabi 0 pikë.