Janë luajtur ndeshjet e javës së dytë të Superligës në volejboll për meshkuj. Skuadra e Partizanit udhëheq e vetme renditjen me 6 pikë të plota. Skuadra kryeqytetase fitoi sot 3-0 ndaj Elbasanit jashtë fushe (25-20, 25-18, 25-12). Ndeshje e dominuar nga të “kuqtë”, ndërkohë që loja e Elbasanit erdhi në rënie nga seti në set.
Fiton edhe Erzeni, që mposhti 3-2 Tiranën në një përballje mes dy ekipesh pretendente për titull këtë sezon. Bardheblutë fituan 25-22 e 25-19 dy setet e para, por pa mundur ta mbyllnin ndeshjen. Shijakasit “zgjohen” dhe përmbysin shifrat, duke fituar tri setet e tjera: 25-20, 25-16, 15-9. Për Tiranën kampione kjo është humbja e parë sezonale.
Po 3-2 fiton edhe Teuta, që në fushën e saj mundi Studentin (14-25, 25-23, 25-23, 13-25, 15-13), në një ndeshje ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra. Për durrsakët ky është suksesi i parë sezonal. Në ndeshjen e fundit të kësaj jave, Vllaznia fitoi në fushën e saj 3-0 (25-23, 28-26, 25-22) Skënderbeun, duke korrur suksesin e parë në kampionat.
Superliga-Meshkuj, java e dytë
Vllaznia – Skënderbeu, 3-0
Elbasani – Partizani, 0-3
Teuta – Studenti, 3-2
Erzeni – Tirana, 3-2
Renditja: Partizani 6 pikë, Erzeni 5 pikë, Studenti 4 pikë, Vllaznia 3 pikë, Tirana 3 pikë, Teuta 2 pikë, Skënderbeu 1 pikë, Elbasani 0 pikë.