Me dy ndeshjet e së dielës mbrëma në kuadër të Superligës A, meshkujt, Luboteni - Drita dhe Skenderbeu - G. E Theranda, është mbyllur xhiroja e tretë.
Drita mposhti si mysafire Lubotenin me rezultat 0-3 (23-25,18-25,21-25), për të arritur një fitore të rëndësishme në këtë fillim fushate.
Janë tri pikë të rëndësishme për Dritën, për të qëndruar në hap me liderin, Pejën, e cila të shtunën mposhti Ferizajn. Në anën tjetër, Luboteni mbetet pa pikë nga tri përballjet e para.
Ndërkohë, Skenderbeu regjistroi një fitore të vështirë kundër G. E Therandës me rezultat 3-2 (24-26,31-29,22-25,25-23,15-11).
Ishte një triumf i mundimshëm për nikoqirët, të cilët shtojnë edhe dy pikë dhe përmirësojnë bilancin, pasi arkëtuan dy pikë në dy ndeshjet e para. Në anën tjetër, G. E Theranda mbetet në kuotën e pikëve të njëjta - dy pikë.