Momente paniku gjatë ndeshjes finale të Superkupës në volejboll për meshkuj, luajtur në Kaljari të Italisë mes Perugia dhe Civitanova.
Volejbollisti kubanez i Perugia, por i natyralizuar polak, Wilfrido Leon, ka rënë keq në parket, duke goditur kokën në pjesën e pasme.
Incidenti ndodhi në setin e pestë, në pikët e fundit të ndeshjes. Shuteri gjuajti një top nga vija e dytë, por në momentin që ulet në tokë rrëshket dhe godet tapetin me pjesën e pasme të kokës.
Leon nuk lëviz për disa çaste pas përplasjes së fortë, duke krijuar ankth si te lojtarët e tjerë në fushë ashtu dhe te tifozët në stadium.
Në fushë hyjnë menjëherë stafet mjekësore të dy skuadrave, që rrethojnë volejbollistin, duke i dhënë ndihmën e parë. Paniku zgjat për gati 2 minuta dhe për fat lojtari çohet, duke mbajtur në kokë një borsë me akull.
Leon nuk u aktivizua më, por për fat skuadra e tij e fitoi 3-2 ndeshjen.