Federata Evropiane e Volejbollit (CEV) u bën jehonë shkollave të volejbollit në Kosovë dhe emërimit të Suxhos si trajner i Kosovës U17
CEV ka shkruar për shkollat e volejbollit në Kosovë, të cilat po mbahen gati çdo muaj.
"Federata e Volejbollit të Kosovës vazhdon të inspirojë gjeneratën e ardhshme të lojtarëve të volejbollit", është nëntitulli i CEV.
Tutje, në artikullin e publikuar në uebsajtin zyrtar të Federatës Evropiane njoftohet për festivalet e volejbollit për fëmijë që zunë vend më herët këtë muaj në Prishtinë, ku u përfshinë më shumë se 100 fëmijë.
"Fëmijët patën mundësi të luajnë dhe të shijojnë mini volejbollin - një version i adaptuar i lojës i dizajnuar për fillestarët e këtij sporti. Për më tepër, Federata e Volejbollit të Kosovës ka arritur të përfshirë katër trajnerë dhe gjashtë mësues", shkruhet tutje në njoftimin e CEV.
Ndër të tjerash, institucioni më i lart i volejbollit në Evropë, njoftoi edhe për emërimin e ish-volejbollistit me famë botërore, Donald Suxho, si trajner të Kombëtares U17 të Kosovës.
FVK nuk do të ndalet me festivalet të cilat po i organizon çdo muaj në të gjitha regjionet e Kosovës, duke ndihmuar edhe me topa të volejbollit dhe rrjeta për shkollat.