Janë luajtur ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ndeshje që kanë dhuruar mjaft emocione e befasi.
Pas një jave do të luhen takimet e kthimit.
Në derbin kryeqytetas, Tirana kampione mundi 3-1 Partizanin, ndeshje e luajtur në “Feti Borova”.
Skuadra e trajnerit Sako fitoi 25-22, 25-22 dy setet e para, por të “kuqtë” rihapin ndeshjen teksa fitojnë po me këto shifra setin e tretë.
Gjithsesi, Tirana mbyll llogaritë duke fituar po 25-22 setin e katërt dhe hedh një këmbë drejt finales.
Në Shkodër, skuadra e Erzenit fitoi 3-0 ndaj Vllaznisë, në një ndeshje që dhuroi emocione shumicën e kohës.
Vendasit dueluan fort për fitoren në të trija setet, por pa mundur të përballojnë shijakasit, më të saktë në momentet vendimtare (25-23, 25-23, 25-21), duke e merituar fitoren.