Ka nisur java e 11-të e Superligës në volejboll për femra, teksa janë luajtur dy nga katër ndeshjet e saj.
Skuadra e Tiranës fitoi me lehtësi 3-0 në “Fahrie Hoti” ndaj Korabit, në një takim që ishte si një stërvitore për bardheblutë (25-8, 25-8, 25-10).
Diferencat në fushë mes dy ekipeve ishin të mëdha, me bardheblutë që morën 3 pikë që i ngjitin në vendin e dytë.
Më e bukur ndeshja e luajtur në Shkodër, ku skuadra vendase mposhti 3-1 më përmbysje mikeshat nga Lushnja.
Myzeqaret fituan 25-18 setin e parë, por më pas erdhi përmbysja e shkodraneve, që rritën nivelin e lojës së tyre dhe fituan pa shumë problem tri setet e tjera: 25-20, 25-19, 25-20.
Fitorja fut në lojë Vllazninë për një vend në katërshe, ndërsa Lushnja qëndron në vendin e gjashtë.
Superliga-Femra, java e 11-të
Vllaznia – Lushnja, 3-1
Tirana – Korabi, 3-0
Teuta – Skënderbeu, 2 mars
Partizani – Barleti Volley, 2 mars
Renditja: Partizani 27 pikë, Tirana 26 pikë, Skënderbeu 25 pikë, Barleti Volley 17 pikë, Vllaznia 15 pikë, Lushnja 9 pikë, Teuta 3 pikë, Korabi 1 pikë.