Skenderaj ka arritur finalen e madhe të ligës së përbashkët, "Gjergj Kastrioti", pasi mposhti Fer Volleyn edhe në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, të dielën mbrëma.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Ylli Kadriu triumfoi me rezultat 3-2 (27:25, 17:25, 25:20, 20:25, 15:8), në palestrën "Ilaz Kodra", pasi në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ferizaj kishte fituar me rezultat 1-3.
Ishte një përballje shumë e fortë kjo e sontmja, me Skenderajn që arriti ta fitonte setin e parë me vështirësi dhe me diferencë dy pikëshe.
Në setin e dytë, ferizajaset treguan paraqitje brilante duke fituar 17-25.
Megjithatë, vashat nga Skenderaj nuk lejuan befasi në setin pasues duke e fituar me rezultat 25-20, ndërsa Fer Volley ishte e vendosur të luftonte deri në fund për secilën pikë, teksa barazoi rezultatin në 2-2 në setin e katërt, të cilin e fitoi me rezultat 20-25.
Nikoqiret fitoren e arritën në setin e pestë, falë një paraqitjeje dominuese 15-8.
Në finalen e madhe Skenderaj do të ndeshet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Partizanit dhe Skënderbeut.
Kujtojmë se finalja e ligës "Gjergj Kastrioti" luhet më 1 mars në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 20:15.