Pas triumfit pak ditë më parë në finalen e Kupës së Shqipërisë, skuadra e Skënderbeut mposhti sot sërish Partizanin, këtë herë në ndeshjen e javës së 13-të të Superligës.
Sfida e luajtur në Korçë u dominua e fitua me meritë nga skuadra vendase (25-19, 25-17, 25-17), ndërsa për Partizanin kjo është humbja e parë në Superligë.
Gjithsesi, Partizani komandon pa problem renditjen, shkëptur ndjeshëm nga rivalet.
Në vendin e dytë qëndron Tirana, që mundi 3-0 Barleti Volley në derbin kryeqytetas.
Një sfidë e dominuar nga bardheblutë (25-15, 25-17, 25-16), që ishte ndjeshëm më superior në fushë se barletaset.
Mnjë fitore të rëndësishme arriti Lushnja, që mundi 3-0 Korabin në Peshkopi (26-24, 26-24, 25-12), një ndeshje që në dy setet e para ishte me shumë emocione. Korabi rrezikon rënien nga kategoria.
Ndërsa Vllaznia, në fushën e saj, mundi 3-0 Teutën (25-16, 25-14, 25-9), duke qenë forca e katërt në kampionat.
Superliga-Femra, java e 13-të
Skënderbeu – Partizani, 3-0
Korabi – Lushnja, 0-3
Vllaznia – Teuta, 3-0
Tirana – Barleti Volley, 3-0
Renditja: Partizani 36 pikë, Tirana 32 pikë, Skënderbeu 28 pikë, Vllaznia 21 pikë, Barleti Volley 17 pikë, Lushnja 12 pikë, Teuta 3 pikë, Korabi 1 pikë.