Një organizim shembullor dhe një tifozeri e zjarrtë e me kulturë të lartë në Skenderaj, nuk mbahet mend që ka pas në volejbollin e Kosovës.
Drita e Gjilanit ngadhënjeu me rezultat 3:0 në konak të Skenderajt, por mori duartrokitje të zjarrta nga tifozeria vendase, duke mahnitur të gjithë me anim e korrektësi në ndeshjen e katërt të finales së play-off-it në Superligën e Kosovës (femrat).
Padyshim për një organizim të shkëlqyeshëm ka merita edhe kryetari i klubit, Agron Istogu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij dhe të gjithë që janë brenda palestrës sportive “Iljaz Kodra”.

Pamje nga ndeshja Skenderaj - Drita
Një organizim dhe një tifozeri, që dhanë mesazhin më të mirë për tërë sportin në Kosovë, se si anohet edhe në fitore edhe në humbje dhe kjo është bukuria e një sporti.
“Ishte një organizim mirë i organizuar deri ne detaje.
Për këtë duhet falënderuar ‘Shqiponjat e zeza’ të cilët janë mëse meritor.
Dëshira ishte shumë e madhe që titullin e kampionit ta festojmë në Skenderaj.
Kjo edhe ndikoj ne rezultat sepse nga presioni i madh nga dëshira që të festojmë në Skenderaj vajzat sikur u shpërqendruan”, thotë Istogu për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Mbrëmë fitoi volejbolli.
Të gjithë që ishin të pranishëm në palestër por edhe që e panë finalen në ekrane televizive, u mahnitën pr organizim dhe një anim shembullor nga tifozët ‘Shqiponja e zeza’.
“Ne mbrëmë nuk fituam por fituam diçka që i ka munguar volejbollit, fituam zemrat e mijëra shikuesve që në mënyrë të shkëlqyer bënë tifo për ekipin e tyre të zemrës”, nënvizoi kryetari i klubit.
Padyshim se ky është një mesazh që u përçua edhe për qendrat tjera në vendin tonë se si organizohet dhe anohet në një finale të madhe, pa provokime e pa sharje dhe si duartrokitet ekipi rival.
“Ky është një mesazh i mirë për secilin klub që fituesit duhet t’i duartrokitet dhe jo të shahet”, tha Istogu.
Më tej kryetari i klubit është i bindur se titulli do të shkojë në Skenderaj duke u bazuar në punën që kanë bërë dhe cilësinë e lojës që posedon ekipi.
“Ne jemi shumë të sigurt që titulli i kampionit do t’i takoj Skenderajt.
Në Gjilan shkojmë pa këtë presion që e kishim në Skenderaj, shkojmë për të fituar”, shpreh bindjen ai.
Bukuria e atmosferës në Skenderaj, mbi 40 pr qind e tifozëve ishin femra.
“Mbi 40% e të pranishmeve ishin të gjinisë femërore, ky është treguesi më i mirë se ky qytet jeton me volejbollin”, ka përfunduar Istogu.