Drita e Gjilanit është kampion i ri i Kosovës në volejboll (femrat).
KVF Drita ka shënuar fitore me rezultat 3:0 (25:22, 25:22, 25:21) ndaj Skenderajt.
Skuadra nga Gjilani ngadhënjeu në seri të fitoreve me 3:2 ndaj skenderajasve.
Pamje nga finalja
Në një atmosferë të rrallë sportive, mbi 3 mijë shikues në palestrën e sportit “Bashkim Selishta - Petriti” në Gjilan, panë një finale për mbamendje dhe në secilin set me përmbysje të rezultatit.
Sonte të gjitha rrugët në Gjilanin çuan në drejtim të palestrës për të pa finalen e madhe, finalen e pestë të play-off-it të Superligës së Kosovës.
Një finale që në tërësi arsyetoi epitetin e dy ekipeve më të mira dhe në anën tjetër numër rekord i shikuesve.
Tifozët “Intelektualët” e Dritës dhe “Shqiponjat e Zeza” të Skenderajt, me brohoritje dhe duartrokitje krijuan atmosferë madhështore.
Dy setet e para me rivalitet të madh dhe më përmbysje të rezultatit.
Është interesant se Skenderaj tre setet e para i filloi mbarë por nuk i përfundoi në favor të veten.
Në setin e parë udhëhoqën me 16:19 por vashat e kryetrajnerit të Dritës, Lorik Ilazi, përmbysin rezultatin, duke udhëhequr me 23:22 dhe fituar setin me 25:22.
Seti i dytë dukej në horizont se do t’i takoi Skenderajt pasi që shumicën e kohës ka avancuar por sërish vashat gjilanaset ndezën “motorët” në momentet vendimtare, duke e rikthyer disavantazhin 18:20 në 24:20 apo me një seri 6:0 dhe fituan edhe këtë me rezultat identik si të parin me 25:22.
Edhe në setin e tretë vashat e Skenderajt e nisën me epërsi 0:1, 1:3, pastaj Drita barazon dhe kalon në epërsi me 4:3.
Skenderaj mobilizohet dhe kthehet në epërsi me 4:6, duke u barazuar 8:8 dhe pastaj 12:10 e 14:10 për Dritën.
Drita e ka fituar edhe setin e tretë me rezultat 25:21.
Gjilanaset kanë shënuar fitore me meritë me rezultat 3:0 ndaj Skenderajt.
Ky është titulli i shtatë apo i treti rresht për Dritën, një sukses i madh për këtë kolektiv.