Me mbylljen e sezonit 2022-2023, disa ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur në merkaton e volejbollit të femrave, duke nisur me trajnerët. Kështu, nga Partizani kampion është larguar trajneri turk Hakki Ertan Albayrak dhe në vendin e tij ka ardhur Amarilda Prenga.
Ish-volejbollistja e njohur ka ardhur nga skuadra e Tiranës, ku ka qenë trajnere në dy sezonet e fundit. Duket se edhe klubi bardheblu ka vendosur të bëjë ndryshime në drejtimin e ekipit të femrave në volejboll, duke sjellë emra të rinj në drejtim.
Mësohet se skuadrën e Tiranës do ta drejtojë trajneri i mirënjohur Hasan Gurabardhi, që rikthehet në detyrë pas gati 10 vitesh pushim. ai e ka drejtuar edhe më parë Tiranën. Bashkë me të, te bardheblutë rikthehet edhe volejbollistja Enlekeda Braho, që vjet u shpall kampione me të kuqtë.
Këto ndryshime në drejtimin e skuadrave kryesore në kryeqytet pritet të ndikojnë mjaft edhe merkaton e volejbollisteve, pasi priten risi. Me fillimin e korrikut do të nisë edhe merkato e rrjetës, ku skuadrat do të kryejnë lëvizjet e para.