Dyshja brilante e volejbollisteve, Sara Pira dhe Venera Tuniq, kanë ngadhnjyer në kampionatin e Kosovës të volejbollit në rërë U18, të hënën, në "Holiday Resort" të Sllatinës së Madhe.
Dyshja arriti të triumfojë dhe të shpallet kampione pas një super finaleje të luajtur ndaj dyshes po ashtu impresive, Elizabeta Gashi/Elona Sallauka.
Pira/Tuniq arriti të triumfojë me rezultat 2-1 (18-21, 21-9, 15-6), me çiftin Gashi/Sallauka që fillimisht arriti të fitojë setin e parë me tre pikë diferencë, por nuk arriti të mbajë tempon e njëjtë në dy setet pasuese.
Ekipi i përbërë nga volejbollistet Fiona Hoti dhe Gelina Elshani fitoi përballjen për vend të tretë kundër çiftit Defqa/Demolli, me rezultat 2-0 (21-19, 21-19).
Kupën dhe medaljet i ndau ish-presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Xhavit Mustafa.